Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës ka reaguar pas deklaratës së Serbisë për njohjen e Kosovës nga Kenia, duke e cilësuar një akt armiqësor ndaj Beogradit, teksa paralajmëroi edhe marrjen e masave diplomatike.
Ministria e jashtme e Kosovës thekson se Serbia tregoi sërish se nuk ka asnjë interes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Sipas Ministrisë së Jashtme, Serbia po shpërfill hapur zotimet e saj ndaj Bashkimit Evropian, duke refuzuar njohjen e Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare.
“Deklarata e tyre e fundit si përgjigje ndaj vendimit sovran të Republikës së Kenias për të njohur Republikën e Kosovës, vërteton se Serbia vazhdon të refuzojë të përmbushë zotimet e saj në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të lehtësuar nga BE-ja.
Përkundrazi, Serbia vazhdon fushatën e saj të gënjeshtrave, manipulimeve dhe propagandës kundër Kosovës, duke përdorur çdo mjet në dispozicion për të penguar vendin tonë në rrugën drejt integrimit të plotë në mekanizmat ndërkombëtare.
Kjo nuk është hera e parë që Serbia i shpërfill hapur zotimet e saj ndaj Bashkimit Evropian. Duke refuzuar njohjen e Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare, Serbia sfidon hapur detyrimet e saja të përcaktuara me nenet 1–5 të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, të arritur në kuadër të dialogut të Brukselit.
Refuzimi i Serbisë për të zbatuar këto zotime konfirmon edhe më tej mungesën e vullnetit të mirë dhe sinqeritetit në procesin e normalizimit” tha ai.
Kosova i kujtoi Serbisë luftërat në Ballkan dhe gjenocidin dhe thotë se nuk ka autoritet e moral për t’u diktuar vendeve të drejtën ndërkombëtare.