Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi sot se kryeministri Edi Rama ka kopjuar programin e PD-së, pasi ra në një pikë dramatike me sondazhet. Berisha gjatë fjalës së tij u shpreh se në historinë e premtimeve, mashtrimi është rekordi i Ramës. Ai theksoi se Rama ka 62 premtime të pambajtura.
“Kopjimi i programit të PD nga Edi Rama, erdhi pas rënies dramatike të pikëve të tij në sondazhe, pasi shqiptarët e përcollën me neveri programin e tij për zhapinj, hardhucë, zhaba dhe thithlopa, e përcollën me neveri keqpërdorimin e bravës për të hutuar shqiptarët dhe konstatoi se shqiptarët janë të interesuar, jetësisht, për pensionet, rrogat, për luftën ndaj korrupsionit, pra për mirëqenien e tyre. Ajo ç’ka mund tu them shqiptarëve është se, në historinë e premtimeve, Edi Rama ka vetëm një rekord, mashtrim, mashtrim, mashtrim.
Dhe kur të gënjen njëherë, çdo njeri mund të gënjehet. Kur gënjen dy herë, ke gënjyer veten. Por po u gënjeve për të tretën herë është e tmerrshme, është njëlloj sikur të besosh gënjeshtrat e tua. Ai që gënjehet tre herë ai, i lejon vetes të besojë gënjeshtrat e veta, atëherë nuk ka më faj Edi Rama këtu. Pse e them këtë? Nuk e them vetëm me 62 premtimet e tij të pambajtura, asnjë prej tyre.
300 mijë vende pune, heqje TVSH për ushqimet, legalizimet sikur Enveri të ngrihej nga varri nuk do të na pengojë, legalizime pa prishje dhe asnjëherë. Ulje të çmimit të energjisë elektrike, nga 77 në 95. Zgjidhjen personalisht, se do të merrej personalisht me dy gjëra, me legalizimet dhe ujin e pijshëm. Pra shqiptarët në memorien e tyre nuk gjejnë dot asnjë premtim të mbajtur nga Edi Rama. Vetëm mashtrim, mashtrim, mashtrim” tha Berisha.