Kryeministri Edi Rama në takimin e dytë të nivelit të lartë “Shqipëria2030 në BE – Rruga e Reformave” u shpreh se integrimi është i domosdoshëm për Shqipërinë. Theksoi se europianët janë vetëdijësuar se BE është një perimetër sigurie. Rama tha se Shqipërisë i duhet ta shfrytëzojë këtë derë që i është hapur për anëtarësimin në Bashkimin Europian, pasi kjo derë mund të mbyllet.
“Për ne shqiptarët ka qenë më e thjeshtë dhe mbetet më e thjeshtë pse-ja e domosdoshmërisë së të qenit anëtarë të BE. Është të qenit përfundimisht të lirë nga hija e historisë sonë dhe se liria jonë individuale dhe barazia para ligjit nuk do të jenë më një atribut i lëvizshëm në varësi nga kush qeveris këtu në Tiranë.
Lidhur me arsyen pse jemi këtu sot, kjo bëhet më e qartë në këtë sfond ku jeton dhe merr frymë BE. Qysh prej nisjes së punës së komisionit që kujtoj se u shoqërua me konfuzion dhe teori konspiracioni që preken edhe miqtë përfaqësues të komunitetit demokratik këtu në Tiranë, është shumë interesante se si Tirana ka kapacitetin të infektojë miqtë që vijnë nga vende të ftohta, me shijen e thashethemeve.
Kjo bëri që komisioni të hyjë në një fazë, që nga një anë ne besonim shumë në dobinë e tij, ekzaktësisht në funksion të një fjale që është fjala konsolidim, i të gjithë këtij procesi të bërë në funksion të antikorrupsionit dhe sundimit të ligjit, përmes mirëqeverisjes në tërësi dhe qysh prej 27 Majit kur komisioni ka nisur punën ne sot jemi në një nivel tjetër.
Kemi hapur dy grupkapituj dhe kemi ambicien të hapim të tjera dhe jemi pozicionuar më mirë se asnjëherë në të gjitha renditjet evropiane në fushën e mirëqeverisjes dhe antikorrupsionit”, u shpreh Rama.