Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta nga qelia ka shkundur të tijtë dhe ka premtuar para shqiptarëve programin pas 11 Majit nëse opozita vjen në pushtet. “Një pushtet që jep leje ndërtimi për kulla luksi e droge për pakicën dhe që rrëmben e rrënon pronat e ligjshme për shumicën, duke mos kursyer as helmimin me gaz të grave shtatzëna, të miturve dhe të moshuarve. Legalizimet falas brenda mandatit të parë ishin fjalë që i mori era.
Këto ndodhin sepse në 12 vite Edi Rama bëri ligje vetëm për veten dhe padrejtësi për popullin. Është ai që vrau shpresën dhe ëndrrat e të rinjve duke hapur plagën e shpopullimit si një humnerë të thellë në trupat e qytetet dhe fshatrave të Shqipërisë, ku sot nuk ka më jetë. Është Edi Rama ai që piu gjakun e familjeve të thjeshta shqiptare, që pështyu mundin dhe djersën e fermerit shqiptar, që mohoi kontributet dhe sakrificat e panumërta të pensionistëve duke u ushqyer me taksat e tyre, të popullit me nivelin më mizerabël të varfërisë në kontinent.
Ndaj jemi sot kampion në Europë për korrupsion dhe të dytët në botë për ryshfet. Edi Rama rriti taksat dhe borxhin publik, jo për të rritur mirëqenien e shqiptarëve, por t’u ushqyer me hajdutërinë skizofrenike, me mijëra tendera sekrete, me PPP, me rrugë të florinjta që ose shemben pa u inauguruar ose që kushtojnë deri 6 herë më shtrenjtë se në BE, me klientelizëm dhe padrejtësi, nga mëngjesi në darkë, aq sa sot një bebe e porsalindur e ka në kokën e krevatit një faturë borxhi që duhej të paguajë prej 5,634 euro për banor” shkruan ai.