Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë takimit me një delegacion të deputetëve të Asamblesë Kombëtare të Francës ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës.
Osmani foli edhe për tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të Kosovës dhe të gjithë rajonit.
Ajo theksoi se këto tendenca të Serbisë janë të qëllimshme dhe të koordinuara, duke përmendur sulmin e agresionit në Banjskë, sulmet dhe plagosjen e ushtarëve të KFOR-it nga bandat serbe, si dhe sulmet e vazhdueshme terroriste të dirigjuara dhe mbështetura nga Beogradi.
Gjithashtu nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një hap vendimtar për avancimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët pa dallim. Ajo shtroi nevojën e mbështetjes së Francës në këtë proces.