-sidi education-spot_img
7.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Flamur Vezaj: SPAK si kryeredaktor: Liria e shtypit me regji të posaçme!

Kryesoret

Përfaqësuesit e kryeprokurorit Altin Dumani në Gjykatën Kushtetuese, prokurori Bledar Maksutaj, bashkë me kolegun e tij Ols Dado, u paraqitën si dy kalorës të rendit kushtetues, ose më saktë, si “avokatët e moralit të ri të medias”.

Në qendër të sulmit të tyre nuk ishte ndonjë grup kriminal, por një gazetar: Elton Qyno. Dhe arma që përdorën?

Epo, një arsenal të tërë: izolim për orë të tëra në zyrat e SPAK, kontroll në banesë, në makinë, në vendin e punës, madje edhe lodrat e fëmijëve u konsideruan potencialisht “me ndikim kriminal”.

Sepse, siç e dimë tashmë, çdo gazetar që shkruan pa leje, mund të fshijë prova me ndihmën e një makine lodër të fëmijëve…

Por spektakli kulminant nisi në sallën e Gjykatës Kushtetuese, disa ditë më parë, ku dy prokurorët u kthyen në mësues të gazetarisë dhe shpikën një rregull të ri loje: para se të shkruash një lajm, duhet të marrësh leje nga SPAK. Po, po. Gazetarët, sipas tyre, duhet të rreshtohen si nxënës para bordit editorial të Prokurorisë së Posaçme dhe të kërkojnë miratim për çdo fjali.

Kur gjyqtarja, me një kuriozitet që s’guxon të shfaqet shpesh në këtë sistem, pyeti:

– “A ekziston ndonjë dispozitë ligjore që kërkon një gjë të tillë?”

Prokurori, me një siguri që të bën të dyshosh për natyrën e arsimit juridik në vend, u përgjigj:

– “Jo, znj. Kryetare. Por kemi të bëjmë me një detyrim etik…”

Ah, etikë! Fjalë magjike që përdoret sa herë ligji mbaron e imagjinata fillon. Me këtë justifikim, mund të sekuestroni gjithçka, përfshirë laptopët, celularët, e ndoshta herën tjetër edhe kujtesën RAM të gazetarit. Sepse “në emër të etikës” gjithçka është e lejueshme sipas SPAK-ut!

Ironia nuk ndalet këtu: në një moment “Oscar-worthy”, prokurori shpjegoi që gazetari, duke qenë “i vjetër dhe me eksperiencë”, duhet ta kishte nuhatur vetë që ishte subjekt hetimi. Domethënë, në Shqipëri nuk të njofton askush për hetim, duhet të kesh një antenë të brendshme, një aplikacion në shpirt që të të bëjë ping kur je nën vëzhgim.

Një tjetër perlë: prokurori pranoi me qetësi se nuk ka asnjë kompetencë për të ndërmarrë masa ndaj “shkeljeve etike”, sepse ligjërisht s’kanë të drejtë – por kjo nuk i ndaloi të sekuestronin, izolonin, dhe ushtronin presion sikur të kishin në duar një armik të shtetit. Po, prokuroria nuk ka kompetenca për etikën – por mesa duket, kur bëhet fjalë për gazetarët, mjafton një dyshim dhe fillon parada.

Kështu që, përmbledhtazi: nëse je gazetar dhe ke informacion, nuk ke të drejtë ta publikosh pa u lutur më parë në zyrën e ndonjë “eksperti” në prokurori. Nëse e publikon, do të përfundosh në ndonjë skenar alla “SPAK Studios”, me hetim, sekuestrim dhe ndonjëherë edhe analizë të lodrave të fëmijëve për ndonjë USB të fshehur brenda.

Në këtë betejë për fjalën e lirë, Gjykata Kushtetuese është shndërruar në një arenë ku nuk vendoset vetëm fati i Elton Qynos, por i çdo gazetari që guxon të ketë një laptop, një mikrofon dhe një pyetje të pakonfirmuar nga “etikologët” e drejtësisë.

Nesër është dita vendimtare: fjala e fundit në këtë proces do të jetë ose një deklaratë në mbrojtje të medias së lirë, ose një vulosje zyrtare që SPAK jo vetëm të ndjekë penalisht, por edhe të redaktojë, miratojë, dhe ndoshta nesër të botojë editorialin e radhës në vend të redaksive.

Kolegë, mos mungoni! Sepse herën tjetër, nëse kjo kalon, lajmi juaj do të nisë me: “Titulli në pritje të miratimit të prokurorit. Shkrimi do të vijojë sapo të japë dritën jeshile etikën e SPAK.”

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit