Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me turoperatorë, hotelierë dhe profesionistë të turizmit në Durrës, ku në fokus të diskutimeve u vendos sezonin veror.
Rama u shpreh se turizmi ka transformuar imazhin e Shqipërisë dhe se sot priten më shumë se trefishi i vizitorëve të huaj krahasuar me një dekadë më parë.
“Ajo që po ndodh me turizmin është përtej të gjitha pritshmërive të shumëkujt. Ishim tërësisht të pazbuluar, por jemi edhe një vend që kemi një potencial akoma të madh që të rritemi në funksion të të gjitha të mirave që vijnë nga kjo rritje, të punësimit, të rritjes së pagave në sektorin e turizmit që duhet thënë se janë rritur në mënyrë të ndjeshme. Sot kemi rreth 40 hotele që janë me brende të mëdha ndërkombëtare me pesë yje. Kemi një volum projektesh në vazhdim që janë një gjeneratë tjetër e turizmit e arkitekturës e të kuptuarit të cilësisë dhe e volumit financiar që është përgatitur të investohet në Shqipëri nga investitorë vendas dhe të huaj. Edhe volumi i investimeve të qeverisë dhe bashkive është rritur në funksion të turizmit dhe do të vazhdojë të rritet. Megjithatë duhet ta kemi të qartë se jemi akoma në një moment të brishtë. Nëse nuk investojmë në drejtimet e duhura mund ta humbim këtë volum. Për ta mbajtur këtë volum dhe për ta rritur në mënyrë të qëndrueshme duhet të jemi të qartë çfarë duhet të bëjë sektori privat dhe çfarë duhet të bëjë shteti. Dhe tani është koha që sektori privat cdo qindarkë ta investojë në cilësi”, tha Rama.