Gjykata Civile e Tiranës ka pranuar kërkesën për divorc të çiftit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.
“Sot në datën 11.04.2025, ora 10:30, pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Civile, u zhvillua seanca e pajtimit si dhe seanca gjyqësore me objekt zgjidhje martese me paditës I.M dhe të paditur M.K, ku të pranishëm ishin paditësi dhe avokati i tij.
Pala e paditur, e njoftuar nga gjykata me fletëthirje, nuk u paraqit në seancë, pa asnjë shkak ligjor, duke e lënë gjykimin në mungesë. Në përfundim gjykata vendosi zgjidhjen e martesës midis paditësit I.M dhe të paditurës M.K.”, thuhet në njoftimin zyrtar të gjykatës.
Ndarja e tyre tanimë është e konfirmuar edhe në formë ligjore, pas afro 10 muajsh nga deklarata publike e ish-Presidentit të Republikës, i cili ishte sot i pranishëm në sallën e gjyqit.