Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në Amerikë shkon sa herë që të dojë dhe kur ta ftojë qeveria. Por kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se kazani po zien dhe “kjo është përgjigjja ime për sa tha Rama”.
“Të më bësh mua të komentoj deklaratat e një njeriu që ka frikë dhe tmerr nga gazetari, nuk e di sa është etike t’i përgjigjem atij. Unë dhe ai dhe cdo politikan kemi detyrimin elementar ndaj qytetarëve të paraqitemi para gazetarëve.
Dje, pardje, lexova një artikull. Presidenti Donald Trump ishte paraqitur para gazetarëve, nga 20 janari deri tani 20 herë më shumë se paraardhësi i tij në 4 vite. E kuptoni ju se me këtë qëndrim anti-transparencë dhe anti-media, nuk ja vlen ta konsiderosh për asgjë atë.
Sa i përket asaj që tha ai, mund të them dy fjalë. Antony Blinken sot është non-grata në vendin e tij dhe uroj që të paraqitet para drejtësisë amerikane.
I them gjithashtu se nëse Blinkeni bëri një vizitë blic në Shqipëri, i paguar apo jo, për t’i mbuluar skandalin McGonigal Ramës, kazani po zien. Ai skandal nuk mbyllet kurrë. Kjo është përgjigja ime për sa tha”, tha Berisha.