Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë takimin në Vlorë ka premtuar një zonë industriale si edhe ulje të taksave dhe energjisë për biznesin vogël. Berisha tha se Shqipëria do dyfishojë edhe njëherë numrin e ullinjve dhe të arrorëve.
“Vite më parë kam pritur përfaqësues tuaj të biznesit. Ata bënë një projekt për parkun industrial. U garantoj se do ketë zonë të lirë industriale. U garantoj se PD për biznesin e vogël do ngrejë tavanin nga 140 mijë euro pa taksa në 180 mijë euro. Se energjinë do e pjesëtojë me 3. Se do ketë linja krediti të buta për ta. Se për sipërfaqet publike, do të pjesëtohen me 5 herë tarifat. Dhe se ky Dredha i dytë, që është njëlloj si i pari dhe më i keq se i pari, bashkë me Erionët dhe të tjerë, nuk do mund të vendosin taksa më shumë se 1 përqind të xhiros për biznesin e vogël. Taksat, tatim fitimi nga 23, zbret në 10 përqind. TVSH zbret në 15 përqind. Çdo fermer do subvencionohet për çdo fidan, për çdo bagëti, për çdo njësi prodhimi. Shqipëria do dyfishojë edhe njëherë numrin e ullinjve, do dyfishojë arrorët”, tha Berisha.
Ai u bëri apel mësuesve dhe administratës që të dalin në anën e drejtë të historisë. Berisha theksoi se mësuesit do të vendosen në piedestal, si dhe shkollat do të kenë formën më të mirë të digjitalizimit.
“Mësuesi do vendoset në piedestal. Shkollat të gjitha do kenë formën më të thellë të digjitalizimit. Garantoj mësuesit se nuk do ketë, siç hapin këta lajme se këta do shkurtojnë, jo, do ulim numrin e nxënësve nëpër klasa dhe ndoshta do ketë nevojë për mësues më shumë se ç’ janë. Mësuesve dhe punonjësve të administratës u bëj thirrje, mos qëndroni në anën e të keqes. Dilni në anën e drejtë të historisë. Mos u rreshtoni me të keqen se ne u konsiderojmë ju pasuri kombëtare. Të gjithë ju që zbatoni ligjin keni dhe do keni respektin tonë më të madh. Natyrisht ai që bëhet patronazhist, ai në qafë merr veten e vet sepse ligji nuk ia lejon. Morali e dënon, ndërsa ju të tjerët kini kurajo, ndahuni me të keqen, bashkohuni me popullin opozitar, bashkohuni me Shqipërinë!”, u shpreh Berisha.