Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se të enjten me fillim prej orës 10:00 do të jetë e pranishme në Kuvendin e Kosovës. Në një komunikatë për media, kjo parti ka thënë se do të shkojë në Kuvend sepse “seanca konstituive e Kuvendit të Republikës duhet të mbahet e të thirret më së largu çdo 48 orë”.
“LDK-ja i fton të gjithë deputetët e certifikuar dhe të gjitha partitë parlamentare, të jenë prezent në këtë seancë. Njëkohësisht, ftojmë kabinetin qeveritar, që pretendojnë se janë dorëhequr por ende, dhe paradoksalisht, mbajnë mbledhje qeveritare dhe marrin vendime, të dorëhiqen dhe këto dorëheqje t’i deponojnë te organet e Kuvendit të Kosovës.
Të tjerët anëtarë të Qeverisë që s’janë apo s’duan të betohen si deputetë, vazhdojnë punën në Qeveri; deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, shkruhet në komunikatën e LDK-së.
LDK-ja ka thënë se zvarritjet “janë veçse kalkulime politike me qëllim të dëmtimit të shtetit, demokracisë dhe rendit kushtetues”. “Nesër, nga ora 10:00, mblidhemi në seancë. Le të kuptohen qartë bllokuesit institucional e mosrespektuesit e Rregullores, Ligjit e vet Kushtetutës!” thuhet në komunikatë.