Kryeministri Edi Rama ishte në Kolonjë dhe gjatë fjalës së tij me qytetarët u ndal tek turizmi dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Rama u shpreh se Shqipëria do të mbyllë negociata brenda vitit 2027, si dhe do të shqiptarët do të pajisen me pasaportën europiane.
Kryeministri theksoi se me hyrjen në Bashkimin Evropian, shqiptarët do të jenë të barabartë me të tjerët. Ai nënvizoi se shqiptarët e kanë në dorë nëse do duan që ta dërgojnë Shqipërinë në Bashkimin Evropian duke votuar për Partinë Socialiste.
“Si do shkojë Shqipëria në finish? Vetëm nëse Shqipëria nuk humbet asnjë minutë, nëse negociatat arrihen brenda planit në vitin 2027, që nuk e ka arritur asnjë vend këtë, me përjashtim Finlandës që ishte histori tjetër. Kujtojmë Malin e Zi, Serbia, Maqedonia, e cila është që në 2005 kandidate, kurse ne na ka parë Zoti në këtë pikë, në këtë moment, ka dhënë mundësinë për shqiptarët ta kenë fatin në dorë.
Fati nuk rri aty, vjen dhe ikën, nuk vjen të rrijë aty derisa të zgjohesh ti nga gjumi e të bësh punët e tjera, kjo është rruga e vetme për t’i dhënë fund një historie, pasi shqiptarët në shekuj ka qenë një popull i mbetur në rrugë, për mbijetesë, e trajtuar si qenie e dorës së dytë e të tretë. Ne e kemi pasaportën edhe sot, ne lëvizim, por duhet të kthehemi përsëri, se ndryshe duhet të kërkojmë azil atje. Edhe sot rrinë e torturohen me dokumente, ja ku i keni në Greqi, pastaj me pensionet, kur do na njihen, marrëveshja etj., ndërkohë që këto i zgjidh ajo aty (rruga në BE). Nëse ne hyjmë në BE, ajo pasaportë është gjithçka, leje pune, pensioni, udhëtimi etj. Jemi një popull i barabartë me të tjerët, sy më sy me ta.
E ardhmja e Kolonjës ka nisur, numrat e tregojnë edhe turizmi e tregon. Nuk vinin dikur turistët në Kolonjë, se dukej sikur shkonin në luftë, kurse sot është kënaqësi të vish, me plane e projekte, me mundësi për turistë dhe vizitorë nga Tirana, që shtohen dita-ditës. Kemi dhe paketën e maleve. Dhe qershia mbi tortë do të jetë qendra e madhe turistike e skive midis Kolonjës dhe Korçës, e cila do sjellë një zhvillim të madh dhe të ardhura të larta, pasi do ketë shumë turistë, që edhe do konsumojnë shumë këtu. Ndaj të bëjmë çmos që më 11 maj të jemi më shumë se asnjëherë tjetër.
Siç thotë fjala e urtë e rilindësve, “Sos për mua e për ty, por për Shqipëri”. Hyrja në BE është çështje dinjiteti, por jo patjetër e tillë, pasi është zgjidhje e shumë gjërave, e jo vetëm personalisht,” tha Rama.