Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë takimit me qytetarë të Vorës dhe Kasharit u shpreh se pas ardhjes në pushtet, qeveria do të financojë kredi të buta. Berisha tha se familja shqiptare pas 11 maj do të ketë mundësi të tjera.
“Ne jemi sot këtu për t’u zotuar, se do bëjmë gjithçka për shkollimin e fëmijëve tuaj, se do hiqet mesatarja. Se tarifat e studimeve do të pjesëtohen me 3 apo 4 herë. Se pas studimeve, çdo i ri dhe çdo e re do të mbështetet për punësimin. Qeveria do i paguajë 1 vit sigurimet shoqërore sipërmarrësit që do të punësojë një të ri.
Qeveria do paguajë çdo gjë, të gjitha shpenzimet për trajnimin e të rinjve para se të fillojnë punën. Qeveria do të financojë me kredi të buta çdo projekt të tyre për të ndërtuar një biznes të vogël, një start up, do t’i bëjë atyre të mundur. Një çati për çift, do të jetë zotimi ynë para atyre.
Një çati për çift do të thotë se, qeveria do t’i mbulojë të rinjve me një grant prej 30 mijë eurosh, të gjithë interesin e kredisë për blerjen e shtëpive. Dhe se, ata të cilët do të bëhen me 3 fëmijë, kredinë do ta kenë të paguar tërësisht nga qeveria. Pra, miqtë e mi, familja shqiptare pas 11 majit do të ketë mundësi të tjera.”, tha Berisha.