Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë takimit me qytetarët në Pogradec u shpreh se kryeministri Edi Rama i shmanget përballjes në debat për të diskutuar për problemet reale të vendit.
“E ftoj Ramën të dalim këtu, ai le të marrë suflerët dhe unë vetëm. Hajde të faktojmë se ku i çove paratë e shqiptarëve, por nuk del dot, nuk ia mban sepse ka vjedhur dhe vetëm ka vjedhur.
Nuk del sepse janë 130 mln euro të djegësit të Tiranës të zhdukura pa nam e nishan. Janë 120 mln euro që i merr Beccheti, vetëm e vetëm se burreci 2 metra nuk duronte dot kritikat.
Janë 225 mijë metra katror tokë në Gjipe që i ka marrë pa asnjë dokument kadastral dhe i ka përvetësuar për veten dhe familjen e tij. Nuk del dot, sepse sikur të ishte sheik shkon dhe ulen me bileta 30 mijë euro, hap shishen verës 33 mijë euro. Vetëm djegësi i Tiranës kushton 812 mijë pensione. Ja pse pre ai nuk del dot, nuk ia mban”, tha Berisha.