Asnjë furnizim me ushqime, ujë apo ndihma mjekësore nuk ka hyrë në Rripin e Gazës që nga 2 marsi, kur Izraeli vendosi një bllokadë të plotë në përpjekje për të detyruar lirimin e pengjeve të mbetura nga Hamasi.
Sot në ditën e 60-të të izolimit të plotë, Kombet e Bashkuara dhe agjencitë humanitare paralajmërojnë për uri të përhapur në të gjithë Rripin e Gazës, ndërsa situata humanitare po përkeqësohet me shpejtësi.
Sipas Programit Botëror të Ushqimit (WFP), të gjitha furrat e bukës janë mbyllur dhe rezervat ushqimore janë shteruar plotësisht. Kuzhinat e bamirësisë, të vetmet burime të mbetura për ushqim, po përballen me mbyllje brenda pak ditësh nëse nuk lejohet ndihma nga jashtë.
Qeveria lokale e Gazës raportoi të premten se uria nuk është më një rrezik i afërt, por një realitet i dhimbshëm. Deri tani janë konfirmuar 52 vdekje për shkak të urisë dhe kequshqyerjes, ku 50 viktima janë fëmijë. Më shumë se 65,000 fëmijë kanë nevojë për trajtim urgjent për kequshqyerje të rëndë.