Kryetari i PSD-së, Tom Doshi në një takim elektoral në Velipojë ka akuzuar kryetarin e bashkisë së Shkodrës, Benet Becin. Doshi e akuzoi Becin se po e dëmton qytetin bregdetar me ndërtime pa leje. Gjithashtu i bëri thirrje BKH dhe SPAK që të hetojnë krimet zgjedhore në Shkodër.
“Po bëhen krime zgjedhore në Velipojë. Janë bërë ndërtime pa leje në këmbim të votave. Ju e keni parë se çfarë i ka ndodhur në Trush, një nëne me fëmijë jetimë, Benet Beci u ka nisur IKMT-në. Këtu në plazh ndërton pa leje dhe atje që është në mes të fushës në Trush, shkojnë dhe e pezullojnë dhe e gjobisin. Është kaq i lig, kaq i vogël saqë e çon veten të merret me fëmijë jetimë. I bëj thirrje BKH-së dhe SPAK-ut të vijë dhe të merret me krimet zgjedhore në Velipojë dhe në Bashkinë e Shkodrës”, tha Doshi.
Ai e cilësoi Becin edhe si njeriun e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
“Nuk e kishim njohur atë që është sot në krye të Bashkisë së Shkodrës se ai paska qenë i infiltruari i Sali Berishës. Për 2 vjet ky njeri nuk ka bërë asgjë në Velipojë, veçse ka prishur lokalet dhe ka bërë dëme. Kanë mbetur edhe 3 kaçatorra këtu, njëri është Drejtor i IKMT, tjetri punon me OSHEE-në dhe bëjnë presione nëpër Velipojë. është fatkeqësi e madhe duke rënë Velipoja në duart e këtyre”, tha Doshi.