Sot do të zhvillohet seanca e radhës për të zgjedhur kryetarin e ri të kuvendit të Kosovës. Përfaqësues të partive politike nuk kanë dhënë sinjale se në tentativën e dhjetë do t’i japin fund bllokadës së krijuar në procesin e konstituimit të legjislaturës së re.
Të dyja kampet politike kanë përsëritur qëndrimet edhe për kandidaturën e kryeparlamentarit dhe për formën e votimit. Me qëndrime tashmë të palëkundura, deputetët kanë paralajmëruar se do të paraqiten të shtunën sallën e Kuvendit për vazhdimin e ri të seancës konstituive, e cila është bllokuar në pikën për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) nuk kanë dhënë sinjale se do ta ndryshojnë emrin e kandidatit, Albulena Haxhiu përderisa në vazhdimin e nëntë të seancës të mërkurës, kjo parti ka propozuar ndryshimin e mënyrës së votimit – nga i hapur në të mbyllur.
Por ky propozim është kundërshtuar nga partitë që në legjislaturën e fundit kanë qenë në opozitë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili të premten ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore me rastin e 26-vjetorit të masakrës në Studime të Vushtrrisë, nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve përkitazi me veprimet e ndërmarra në funksion të konstituimit të legjislaturës së re.