Në vazhdim të takimit të tij elektorale në Lezhë, Kryeministri Edi Rama vazhdoi me kritika të forta ndaj opozitës, veçanërisht ndaj Partisë Demokratike dhe liderit të saj, Sali Berisha. Rama e cilësoi sërish PD-në si një “kënetë” dhe Berishën si “bufin e kënetës”.
“Nuk i bullizoj, satira është një formë e lartë e kritikës dhe, ndonjëherë, është e dhimbshme për ata që e përjetojnë,” tha Rama, duke iu përgjigjur reagimeve nga opozita. Ai përdori një tjetër analogji për të ironizuar kundërshtarët e tij: “Ata mblidhen si bretkosat në kënetë, gërr-gërr, ndërsa ne e çojmë Shqipërinë përpara.”
Në fjalën e tij, Rama theksoi se vota e 11 majit është një mundësi për të forcuar projektet e zhvillimit dhe për të shmangur rikthimin në të kaluarën, që ai e cilësoi si “batakun e së kaluarës”.