Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me qytetarët në Elbasan u bëri thirrje që të votojnë me 11 maj për Partinë Socialiste. Rama theksoi se vota duhet që të jepen që fëmijët të marrin pasaportën europiane.
Kryeministri theksoi se me pasaportën europiane flamuri i Shqipërisë do të jetë në krah të flamujëve që ishin të paarritshëm.
“Sot, cilido që voton, investon me votë, për të nesërmen për të marrë për vete, për familjen e tij, familjen e tij, fëmijët e tij, pasaportën europiane. Dua t’ua them të gjithëve, prindërve të Elbasanit, qarkut Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë, që kanë fëmijë të vegjël, në shkollë, në gjimnaz, që më 11 maj duhet të mendojnë për fëmijët që nuk kanë të drejtë vote dhe duhet të harrojnë Edin, bufin, partitë dhe duhet të kthehen nga fëmijët dhe të mendojnë se çfarë i duhet fëmijës tim sot nga unë që kam këtë votën. T’i jap një dhuratë që është më e çmuar se çdo vlerë monetare që mund t’i jap. Me pasaportën europiane merr fund një herë e mirë historia e mundimshme dhe e stërgjatë e popullit të nëpërkëmbur; me pasaportën europiane ky flamur do jetë krah për krah me të gjitha ato flamuj që i kemi parë të pararritshëm”, tha Rama.