Sali Berisha është fituesi moral e politik i të gjitha betejave që ka zhvilluar në jetën e tij politike, por sidomos në këto katër vitet e fundit ka bërë magjinë e tij politike unike.
Qëndrova një moment dhe kujtova datën 29 maj të vitit 2021, kur sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken, shpalli Sali Berishën non-grata. Ai pati thënë se e kishte marrë atë vendim për shkak se “Berisha ishte implikuar në korrupsion dhe kishte rrënuar demokracinë”. E se kësisoj, ai na paskësh “dëmtuar interesat amerikane”! Tani, pas katër vitesh, e vetmja akuzë absurde dhe e paprovuar është ajo se “Sali Berishën e paska korruptuar dhëndëri i tij”, i cili paska marrë nja 400 e ca m2 tokë, pasuri të trashëguar nga familja e tij, sipas ligjit.
Fakti i korrupsionit: Ligjin për kthimin e pronave për mijëra ish-pronarë e kishte miratuar me votë kolektive mazhoranca e Berishës!!! Ta marrim këtë si korrupsion të vërtetë! Aka idiot në botë që të besojë se një politikan dëmton interesat amerikane pse dhëndëri i tij merr pronën që i takon në një vend mijëra km larg Amerikës?! Zot na ruaj! Edhe diktatorët ishin e janë më të kujdesshëm kur hidhnin ose hedhin akuza kundër kundërshtarëve të tyre. Antony Blinken nuk qe aq i kujdesshëm sa ishte madje diktatori shqiptar, më gjakatari i Europës së pas Luftës së Dytë Botërore. A ka ndonjë naiv në globin tokësor që beson se ligji i miratuar nga sovrani në përputhje me kushtetutën e vendit, shërben si provë për korrupsion?! Ndryshe ai ligj do të hidhej poshtë në Gjykatën Kushtetuese!
Atëherë, para afër katër vitesh, demokratët ishin të tulatur, të mërzitur, madje të dëshpruar. Edhe pse i besonin Sali Berishës, shumë prej tyre shtronin dilemën: “A mundet që SHBA-të të gënjejnë”?! Një pyetje pa përgjigje të saktë. Edhe pas “barit” që Juri Kim “ua dha demokratëve”, kishte skeptikë.
Por sot demokratët dhe të gjithë shqiptarët e kanë marrë përgjigjen. Sali Berisha është në këmbë. Në fakt nuk u gjunjëzua asnjëherë. Lulzim Basha, duke e përjashtuar nga grupi parlamentar i PD-së, ia dha mundësinë të ringjallej. Po të mos e përjashtonte, ndoshta do të dështonte. Sot ai është më i fortë se kurrë. Jo vetëm shpirtërisht e moralisht, por edhe me energji fizike që e sfidojnë moshën e tij 80 vjeçare. Me 80 takime elektorale në 20 ditë, ose dyfishin e takimeve të rivalit të tij 20 vjet më të ri, Edi Ramës.
Pse u ringjall Sali Berisha? Sepse vendosi mbi gjithçka dinjitetin e tij. Sepse nuk iu nënshtrua përfaqësuesve të Fuqisë më të Madhe në botë në kërkim të të drejtës së vet. Sepse gradualisht dekonspiroi dhe çmontoi kurthet, intrigat, sajesat e trillimet me shpifje të Sorosit dhe sorosistëve në Shqipëri e në SHBA me emra konkretë, prej Edi Ramës deri te Antony Blinken dhe McGonigal. Sepse prej se shpalli foltoren e deri në fund iu përmbajt hapave të matur e të zgjuar në të bërit politikë në përballje me narco-shtetin e Edi Ramës. Sepse besoi te e vërteta dhe e drejta.
Sepse nuk u përul edhe kur e shpallën non-grata, edhe kur e përjashtuan nga grupi parlamentar i PD-së, edhe kur ia ndaluan lëvizjen jashtë shtetit pa miratimin e parlamentit. Edhe kur e vunë në arrest shtëpiak dhe gjithashtu edhe tani që e mbajnë me masë sigurie paraqitjen dy herë në muaj në SPAK-un e urdhëruar politikisht të nisë proces penal ndaj tij. Sepse faktoi se vendimet e padrejta e të urdhëruara i merr një gjyqtare e korruptuar dhe e dënuar nga gjykata e Janinës në Greqi. Sepse…. janë edhe njëmijë arsye tjera!
Tani Sali Berisha është rikthyer dhe ringjallur. Ka sfiduar ish-numrin dy të SHBA-ve dhe ka fituar. Ka sfiduar Sorosin, si dhe mëkëmbësin e tij në Shqipëri, Edi Ramën, dhe sërishmi fitoi. Sali Berisha është fituesi moral e politik i të gjitha betejave që ka zhvilluar në jetën e tij politike, por sidomos në këto katër vitet e fundit ka bërë magjinë e tij politike unike. Për të dytën herë ai realizoi procesin e ringjalljes politike. Nëse bota do të kishte një Papë për politikën, Sali Berisha do të ishte shpallur shenjtor i kësaj politike globale. Sepse të të sulmojnë globalistët e Fuqisë më të Madhe në botë dhe ta fitosh sfidën me ta, është e paimagjinueshme, është e pa shpjegueshme edhe në pikëpamje njerëzore. Të sfidosh e ta fitosh luftën me narco-shtetin është gjithashtu e jashtëzakonshme, sepse përballesh jo vetëm me arrogancën e këtij pushteti, por edhe me një koalicion të përbashkët të shtetit me grupet kriminale e mafioze brenda dhe jashtë vendit.
Mafia shqiptare dhe ndërkombëtare dhe shteti mafioz i Tiranës harxhaun “qimet e kokës”, siç thoshte një i paguar nga Edi Rama dhe Sorosi, dhe arritën që për disa kohë ta “izolonin” Sali Berishën nga kontaktet ndërkombëtare. Madje ia morën me dhunë shtetërore simbolet e partisë që kishte themeluar. Ai i sfidoi në këto vite edhe këto vështirësi, duke fituar mbi shtetin e mafies dhe mbi dezinformimin e këtij shteti në qarqe amerikane e europiane. Tani Sali Berisha është ringjallur dhe rikthyer plotësisht edhe në spektrin e politikës europiane dhe amerikane. Ringjallja është dhunti dhe aftësi e jashtëtokësorëve. Përveç Jezu Krishtit, historia nuk njeh ndonjë ringjallje tjetër. Në folkun tonë ringjllja është baladë, një akt imagjinar i shprehur në legjenda. Ndërsa ringjalljen e Sali Berishës e kanë parë me sytë e tyre demokratët dhe të gjithë shqiptarët. Qyrykët nuk kanë aftësi ta shohin këtë ringjallje. Nuk e sheh dot as ky qyryku (Rama), që kur del nga makina mban kryqet me duar, ndërkohë që Sali Berisha edhe 80 vjeçar hyp mbi makinë për t’i përshëndetur përkrahësit e tij.