Në një nga takimet e tij të para pas zgjedhjes si udhëheqës i Kishës Katolike, Papa Leoni XIV u mblodh këtë të shtunë me Kolegjiumin e Kardinalëve, duke ndarë me ta vizionin për të ardhmen e Papatit dhe rolin e Kishës në realitetin bashkëkohor. Në fjalimin e tij, Papa i ri u ndal me theks te trashëgimia shpirtërore dhe modeli i përulësisë në udhëheqje, duke përmendur me respekt paraardhësin e tij, Papa Françeskun.
“Papa, nga Shën Pjetri deri tek unë, është një shërbëtor i përulur i Zotit dhe i vëllezërve. Vetëm kaq. Këtë e kanë dëshmuar qartë shumë nga paraardhësit e mi, së fundmi Papa Françesku, me përkushtimin e tij të plotë ndaj shërbimit dhe thjeshtësinë në jetë. Ai iu dorëzua Zotit në misionin e tij dhe pati një besim të qetë kur iu kthye shtëpisë së Atit,” tha ai.
Papa Leoni XIV theksoi se Kisha duhet të ecë përpara me një ndjenjë të thellë shprese, e mbështetur në besim dhe trashëgiminë shpirtërore që ka ndërtuar ndër shekuj. Ai listoi si prioritete të misionit të tij: forcimin e sinodalitetit, nxitjen e dëgjimit dhe bashkëpunimit në drejtim, zgjerimin e veprimit misionar, kujdesin për të varfrit dhe të përjashtuarit, si dhe dialogun me botën moderne dhe sfidat e saj.
Duke folur për zgjedhjen e emrit të tij papnor, ai u shpreh:
“Ndjeva se duhet të ndjek këto gjurmë dhe mendova të marr emrin Leoni i Katërmbëdhjetë. Ka shumë arsye për këtë, por mbi të gjitha sepse Papa Leoni XIII, me enciklikën e tij historike Rerum Novarum, u përball me problemet sociale në kohën e revolucionit të parë industrial. Sot, Kisha ofron mësimin e saj të pasur shoqëror për të dhënë përgjigje ndaj një revolucioni të ri industrial dhe zhvillimeve të inteligjencës artificiale, që sjellin sfida të reja për dinjitetin njerëzor, drejtësinë dhe punën.”
Fjalët e Papës Leoni XIV sinjalizojnë një vijimësi të frymës së reformës dhe dialogut që karakterizoi Papatin e Françeskut, ndërsa paralajmërojnë një angazhim të ri të Kishës ndaj realiteteve të kohës moderne.
/5pyetjet.al