SPAK ka filluar hetimet për një grup personash në Kukës, të cilët akuzohen për korrupsion aktiv gjatë zgjedhjeve të 11 Majit 2025. Sipas hetimeve, disa individë janë premtuar para në këmbim të votës për një subjekt politik të caktuar.
Në kuadër të këtij hetimi, më 10 maj 2025, është arrestuar në flagrancë K.P., të cilit iu sekuestruan 205.500 lekë dhe 525 euro, një telefon celular Iphone, dhe një Mercedes Benz. Në kërkim është shpallur G.P., kryeplak i fshatit Lusen në Kukës, për të cilin po punohet për kapjen e tij.
Hetimet kanë treguar se K.P. dhe G.P. ofronin para votuesve në fshatrat Lusen, Matranxhë, dhe Bushtricë në Qarkun Kukës, për t’i bindur ata të votonin për Partinë Social Demokrate (PSD) në zgjedhjet për Kuvendin 2025.
SPAK dhe Drejtoria e Policisë së Kukësit po vazhdojnë hetimet për të identifikuar dhe ndëshkuar personat që morën shumat monetare në këmbim të votës.