Në votën e 11 majit 2025, për herë të parë në këto 35 vite, sikurse e thekson edhe struktura e njohur e analizave ekonomike dhe fiskale Altax, kemi patur më shumë “votues ekonomikë” se çdo herë tjetër. Po kë duhet të quajmë “votues ekonomik”?
Me këtë përkufizim quajmë qytetarin që e sheh votën si një akt për të ndikuar në mirëqenien e familjes së tij dhe që kërkon siguri ekonomike. Mund të thuhet pa frikë se këta qytetarë përbënin më 11 maj 2025 shumicën e afro 1.45 milionë qytetarëve që e hodhën votën në Shqipëri.
Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, numri i këtyre lloj votuesve mund të jetë dyfishuar, në krahasim me vetëm 8 vite më parë, me vitin 2017. Votuesi ekonomik është i interesuar drejtpërsëdrejti për rritje të ndjeshme të pensioneve dhe rrogave, përmes rishpërndarjes më të drejtë të të ardhurave në Buxhetin e Shtetit. Është i interesuar edhe për reforma thelbësore në drejtësinë e taksave(drejtësinë fiskale) dhe në shërbimet publike.
Prandaj dhe më 11 maj, ai i drejtoi me votën e tij një thirrje të fortë partisë që sërisht ia dha besën. Ai i kërkoi ndërhyrje më të forta kundër pabarazisë dhe abuzimeve me fondet publike. Votuesi ekonomik, edhe pse nuk e shpreh publikisht, kërkon reformë në drejtësinë fiskale dhe në shërbimet publike. Qytetarët sot janë gjithnjë e më të ndërgjegjshëm për ngarkesën e padrejtë tatimore mbi punën, mbi pagat që marrin.
Ata njohin dhe kuptojnë barrën e tarifave vendore dhe cilësinë e dobët të hërbimeve publike, që dalin nga paratë e siguruara nga këto tarifa. Vota është një thirrje për barazi kontribuese në mbrojtjen ndaj më të dobtëve në shoqërinë tonë. Nuk mundet që ai që fiton dhjetë herë më shumë se qytetari i thjeshtë në muaj, t’i paguajë shtetit 20 herë më pak se taksa mbi pagën e qytetarit (avokati apo mjeku biznes i vogël, për shembull).
Nuk mundet qe ai që ka dy, tre apo edhe më shumë shtëpi, të paguajë taksën e pronësisë mbi shtëpinë njësoj si një qytetar(i cili përbën shumicën e popullsisë) që ka vetëm apartamentin e tij të banimit. Votuesi ekonomik kërkon rishpërndarje më të drejtë të të ardhurave publike. Nuk mundet që taksën mbi fitimin që ndajnë në një ndërmarrje aksionere(ndryshe quhet tatimi mbi dividendin, 8 përqind), qytetarët pronarë të kompanive të konsoliduara tek ne, sipërmarrësit e mëdhenj ta paguajnë më pak se sa paguan taksë mbi rrogën një qytetar që merr vetëm 800 mijë leke të vjetra në muaj! Sot kështu është. Qytetari që merr 800 mijë lekë të vjetra në muaj, paguan 13 përqind mbi pagën! Prandaj dhe qytetarët tanë ndjejnë se pabarazia rajonale dhe sociale sa vjen e po rritet. Dhe kanë të drejtë!
Votuesi ekonomik kërkon një shtet që jo vetëm grumbullon të ardhura, por i shpenzon ato me drejtësi, duke ndihmuar shtresat më të dobëta dhe territoret më të varfra të vendit. Votuesi ekonomik kërkon ndërhyrje më të forta kundër pabarazisë në tendera dhe abuzimeve me fondet publike. Korruptimi i shërbimeve dhe klientelizmi në tendera janë kuptuar gjerësisht si burim i pabarazisë nga qytetarët tanë. Votuesi ekonomik kërkon llogaridhënie, jo vetëm transparencë formale. Prandaj dhe vota e tij në zgjedhjet e 11 majit ishte një mesazh i fuqishëm që partia që ka 12 vjet në pushtet të ndryshojë qasjen me qytetarin.
Mbështetja e pjesshme (mbi 96 mijë vota) për partitë e reja politike tregon se ka Partia Socialiste ka hapësirë për një qasje të re ekonomike, e cila të përfshijë më shumë drejtësi sociale, transparencë taksash dhe përfshirje reale qytetare në caktimin e objektivave për buxhetin. Zgjedhjet e 11 majit na treguan se votuesi shqiptar po zhvillohet, duke u zhvendosur nga emocionet partiake drejt interesit të përditshëm ekonomik të tij. Ai nuk kërkon premtime të mëdha, por logjikë të drejtë dhe përfitim konkret nga politikat publike. Nëse Partia Socialiste do të fitojë besimin e tij edhe për katër vitet e ardhshme, duhet të kuptojë se prej saj qytetari pret që të mos matet më me hijen e mengjezit.
Të mos tregojë më si e gjeti Shqipërinë 12 vite më parë dhe si e ndryshoi. Këtë qytetari e di tashmë. Partia sërisht në pushtet duhet të mos flasë më vetëm për rritje ekonomike, por të tregojë se si shpërndahet tek qytetari në nevojë kjo rritje ekonomike. Partia Socialiste nuk ia vlen të flasë më se sa xhan i ka emigrantët, por ia vlen t’i vihet fort punës e të krijojë mekanizma që emigranti të kthehet në atdhe dhe t’ia besojë kursimet e tij investimit këtu, nëse nuk do që vendi në 4 vitet e ardhshme të katandiset vetëm dy milionë banorë.