Dhjetëra mijëra njerëz mbushën sot rrugët e Hagës, duke kërkuar një qëndrim më të ashpër nga qeveria holandeze ndaj Izraelit dhe veprimeve të tij në Rripin e Gazës. Protesta, e organizuar nga Oxfam Novib, mblodhi rreth 100,000 pjesëmarrës, shumica e të cilëve ishin të veshur me të kuqe, për të simbolizuar nevojën për një “vijë të kuqe” ndaj bllokadës të Gazës.
Marshimi kaloi përpara selisë së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që po shqyrton një padi nga Afrika e Jugut për akuzat për gjenocid ndaj Izraelit. Ndërkohë, organizata Oxfam Novib ka akuzuar qeverinë holandeze për injorimin e krimeve të luftës të kryera në Gaza dhe kërkoi një qëndrim më të fortë.
Ministri i Jashtëm i Holandës, Kaspar Veldkamp, ka shprehur dëshirën për rishikimin e marrëveshjeve të Bashkimit Evropian me Izraelin, por qeveria holandeze ka shmangur të mbajë një qëndrim kritik ndaj Izraelit. Kryetari i partisë populiste të koalicionit, Geert Wilders, ka akuzuar protestuesit se mbështesin Hamasin dhe janë “të hutuar”.