Kryeministri Edi Rama u dërgoi një mesazh falënderues atyre që garuan në Tiranë, pasi mbaroi numërimi i votave të diasporës. Rama e ka vënë theksin tek fitorja të cilën e ka cilësuar si historike në Shqipëri.
Ai u ka dedikuar disa fjalë edhe atyre që garuan në listat e hapura: “Dua t’i përgëzoj shumë përzemërsisht të gjithë ata dhe ato që në fushën e hapur të betejës, u përpoqën me të gjitha forcat e tyre dhe u bënë fuqi e shtuar e Partisë Socialiste në çdo territor”!
“Të gjithë atyre qe s’ia dolën u them shumë sinqerisht se duhet të jenë jo vetëm krenarë, për pjesën e tyre të çmuar në fitoren e Partisë Socialiste, po edhe të bindur se në rrugën që vazhdon, me supersfidën historike të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kontributi i tyre do të jetë shumë i nevojshëm. Prandaj kokën lart të gjithë bashkë motra e vëllezër, këtu nuk ka humbës por vetëm fitues!”, tha Rama.
Rama e ka mbyllur me këto fjalë: Duke uruar që të gjeni pak ditë qetësi pranë familjeve e fëmijëve tuaj – Zoti i bekoftë për të gjithë barrën që mbajnë – ju përqafoj të gjithëve me premtimin se nuk do rrimë pa u mbledhur edhe live, jo për ndonjë festë të madhe, po për shijen e një gëzimi të merituar familjar si ky që vetëm ne e dimë se sa kemi punuar e jemi munduar për ta arritur.