Rusia dhe Ukraina përfunduan këtë të diel shkëmbimin e nga 1 mijë të burgosurve, me dorëzimin e 303 të burgosurve të fundit që u krye sot. Shkëmbimi tre-ditor, i cili filloi të premten, ishte më i madhi që nga fillimi i luftës tre vjet më parë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy konfirmoi përfundimin e shkëmbimit, duke thënë në platformën ‘X’ të dielën, teksa shkroi se “303 ushtarë ukrainas janë në shtëpi”.
Shkëmbimi u ra dakord në Stamboll në fillim të këtij muaji gjatë bisedimeve të para ballë për ballë midis dy palëve që nga fillimi i luftës. Shkëmbimi i të burgosurve, që përfshinte edhe civilë, ka qenë i vetmi hap konkret drejt paqes që doli nga takimi.
Qindra mijëra ushtarë nga të dyja palët besohet se janë plagosur ose vrarë në konfliktin më vdekjeprurës të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore, megjithëse asnjëra palë nuk publikon shifra të sakta të viktimave.
Dhjetëra mijëra civilë ukrainas kanë vdekur gjithashtu ndërsa forcat ruse kanë rrethuar dhe bombarduar qytetet ukrainase.
Të premten, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se sapo të përfundonte shkëmbimi, Moska do të ishte gati t’i paraqiste Ukrainës një projekt-propozim për një marrëveshje paqeje afatgjatë./CNA