Kryeministri britanik Keir Starmer po planifikon ngritjen e disa qendrave kthimi jashtë Mbretërisë së Bashkuar për azilkërkuesit dhe emigrantët që mbërrijnë në Angli. Në listën e shkurtër të vendeve që po konsiderohen për këto qendra është edhe Kosova.
Kosova së bashku me Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën dhe disa vende të tjera jashtë Evropës, janë në fokus për krijimin e këtyre qendrave. Edhe pse ende nuk ka filluar asnjë diskutim zyrtar, qeveria britanike synon të ketë një avancim në këtë drejtim para samitit me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Londër këtë vjeshtë.
Fillimisht ishte menduar që Shqipëria të priste një nga këto qendra, por kryeministri Edi Rama e ka përjashtuar këtë mundësi.
Burimet nga Britania e konsiderojnë Kosovën një vend të besueshëm për këtë qëllim, pasi ndodhet në një prej rrugëve kryesore që migrantët e paligjshëm përdorin për të hyrë në Bashkimin Evropian. Vitin e kaluar, rreth 22,000 emigrantë kaluan përmes Ballkanit Perëndimor për në BE.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Kosova është e hapur për bisedime lidhur me mundësinë e ngritjes së një qendre kthimi në vend.