Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me deputetët u shpreh se Partia Socialiste është një mburojë e pathyeshme e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë. Rama u shpreh se do ta mbështesin SPAK pa asnjë ekuivok. Kryeministri mori në fjalën e tij një shembull të një rasti të humbur nga shteti në Gjykatën e Apelit.
“Sot kemi humbur një gjyq në Apel ku i kërkohet shtetit të paguajë 500 mijë euro për një përplasje me makinë përpara 8 vjetësh në një rrugë ku nuk ka pasur as të vdekur e as të plagosur dhe ku shoferi me bashkëshoferen, kanë pasur vizionin që të hedhin shtetin në gjyq si rezultat i përplasjes me makinë dhe i rrezikut për jetën. Ndërkohë që janë të panumërt shqiptarët që presin Apelin me vite të tëra, ndërkohë që janë flagrante rastet që ne presim Apelin e Apelit në Gjykatën Administrative me muaj të tëra, ky vendim është marrë me shpejtësi të rrufeshme dhe shteti është goditur me 500 mijë euro. As për shtetin ne nuk i korrigjojmë dot, me dorën tonë, gafat apo poshtërsitë që ndodhin akoma në sallat e gjyqeve”, tha Rama.