Një marrëveshje e re bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të nënshkruhet që në takimin e ardhshëm mes negociatorëve, sipas një raporti të CNN të publikuar të enjten. Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se “bisedimet bërthamore me Iranin janë shumë afër një zgjidhjeje”, duke shtuar se i ka kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të mos ndërhyjë në procesin diplomatik: “Çdo përpjekje për të prishur negociatat do të ishte e papërshtatshme.”
Një nga pikat më të diskutueshme ka qenë pasurimi i uraniumit nga Irani, për të cilin Teherani refuzon të heqë dorë, ndërsa SHBA-ja insiston që çdo pasurim të kontrollohet jashtë vendit. CNN raporton se diskutimet aktuale përfshijnë një skenar të ri: investime të mundshme amerikane në programin civil bërthamor të Iranit, nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) dhe një konsorciumi rajonal.
Megjithatë, programi raketor iranian dhe mbështetja për grupet e armatosura në rajon – dy shqetësime kyçe për Izraelin – nuk janë përfshirë në negociata. Kjo ka ringjallur tensione në Tel Aviv, ku raportohet se ushtria izraelite është në gatishmëri për një sulm të mundshëm preventiv brenda 7 orëve nga një urdhër politik, me apo pa mbështetjen e SHBA-së.
Duke komentuar mbi një marrëveshje të mundshme, Trump theksoi nevojën për kontrolle të rrepta:
“Dua që të jetë shumë e fortë ku mund të hyjmë me inspektorë… Ne mund të marrim çfarë të duam, mund të hedhim në erë çfarë të duam, por askush të mos vritet. Ne mund të hedhim në erë një laborator, por askush nuk do të jetë në laborator.”
Analistët ndërkombëtarë vlerësojnë se marrëveshja e re mund të rikthejë parimet bazë të JCPOA-së së vitit 2015, por me garanci më të mëdha për inspektim dhe kontroll ndërkombëtar.