Gazment Bardhi, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, i ka kërkuar Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, të shmangë çdo ndërhyrje përmes Kabinetit të tij në administrimin e zgjedhjeve të 11 majit. Bardhi i referohet rastit të Ilirjan Rusmalit, anëtar i Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) dhe njëkohësisht këshilltar ligjor i Presidentit, duke theksuar se ky përfshirje cenon rëndë neutralitetin e Institucionit të Presidentit.
Në letrën drejtuar Presidentit, Bardhi argumenton se përfshirja e Kabinetit të Begajt në procesin zgjedhor është në shkelje të Kushtetutës dhe rrezikon unitetin që Presidenti duhet të përfaqësojë:
“Angazhimi i Kabinetit tuaj në procesin e administrimit të zgjedhjeve në fazë të mëhershme është një ndërhyrje flagrante antikushtetuese e Institucionit të Presidentit të Republikës në zgjedhje.”
Ai gjithashtu vë në dukje se kjo ndërhyrje minon besueshmërinë e figurës së Presidentit dhe e bën atë palë në një proces zgjedhor që po konsiderohet farsë, duke përmendur edhe raportin e OSBE-ODIHR që kritikon shkrirjen e shtetit me partinë në pushtet.
Bardhi kërkon sqarime të menjëhershme nga Presidenti nëse ka autorizuar përfshirjen e Kabinetit të tij në administrimin e zgjedhjeve dhe i kërkon të ndërpresë çdo angazhim në këtë drejtim për të ruajtur neutralitetin dhe paanësinë kushtetuese të Institucionit të Presidentit.