Historinë tonë shpesh e kemi copëzuar sipas grindjeve dhe mospërputhjeve të liderëve tani. Me histori si shtet i pavarur për afro 113 vite, në dallojmë mungesën e theksuar të kulturës shtetformuese. Kjo konkretizohet më qartë në sfidat për prioritetet tona kombëtare, të cilat më shumë synohen të kthehen në trofe personale se sa si një vijueshmëri e qartësuar e kombit shqiptar për të ardhmen e tij properëndimore.
Dëshira për të pasur një shtet të pavarur shqiptar më 1913 u copëzua nga fuqitë e mëdha dhe grindjet midis liderëve të kohës. Dëshira e gjithë shqiptarëve për të qenë përherë të rreshtuar me Perëndimin u copëzua nga Konferenca e Jaltës. Por, edhe nga një preferencë personale e Hoxhës për të sunduar si pjesë e Lindjes.
Kjo ndodhi sepse gjatë mundësive të ndryshme për t’u bashkuar me Perëndimin në vitet ‘80, Hoxha jo vetëm që nuk e pa këtë si një mundësi, por miratoi edhe Kushtetutën e vitit 1976, që ndalonte çdo bashkëpunim ekonomik me fuqitë perëndimore, duke i trajtuar ato si armike të shqiptarëve. Ky qëndrim nuk përputhej me ëndrrën e hershme të shqiptarëve. Këtë e tregon edhe numri shumë i lartë i të burgosurve politikë krahasuar me vendet e tjera të Lindjes komuniste.
Pas vitit ‘90, shqiptarët ritheksuan pritjet e tyre evropiane duke rrëzuar regjimin e vjetër me ambicien për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Por menjëherë pas vitit 1992, me përjashtimin masiv të socialistëve nga puna përmes nenit famëkeq 24/1, demokracia shqiptare filloi pa standardet e demokracisë perëndimore.
Pa lirinë e pronës, pa lirinë e fjalës, pa ndarjen e balancës dhe kontrollin midis pushteteve, legjislativit, gjyqësorit dhe ekzekutivit. Fuqia reale u përqendrua vetëm tek ish-presidenti i vendit në vitin 1992.
Pa lirinë e komuniteteve etnike dhe kulturore, të gjitha së bashku të përfshira në kriteret e Kopenhagenit 1993, të detyrueshme dhe të verifikueshme për çdo vend evropian që synonte të bëhej anëtar i BE-së. Prioritetet strategjike kombëtare nuk mund të parcelizohen dhe as të privatizohen nga askush.
Janë dy arsye kryesore.
E para, sepse këto janë prioritete shpirtërore të një kombi dhe e dyta, sepse këto janë procese të gjata që nuk realizohen dot brenda një mazhorance, por duhet të respektohen nga çdo mazhorancë pas çdo rotacioni politik. Perspektiva evropiane e Shqipërisë si një vend i BE-së do të theksohej qartë në Samitin e Zagrebit në vitin 2000 dhe do të ritheksohej në Samitin e Selanikut në vitin 2003.
Hapi i parë i procesit të integrimit evropian për të gjitha vendet e Ballkanit do të ishte procesi i stabilizim-asocimit (MSA). Ky proces u çel gjatë qeverisjes socialiste në janar 2003 dhe përfundoi si proces në shtator 2005. Gjithkush që njeh nga afër hapat dhe kronologjinë e çeljes, mbylljes dhe miratimit të një marrëveshjeje me BE, e kupton shumë mirë se PD nga shtatori 2005 deri në dhjetor 2005, kur u nënshkruan MSA, nuk pati kontribute në këtë hap të parë të integrimit evropian.
Anëtarësimi në NATO, anëtarësimi në BE, bashkimi me projektet evropiane të paqes dhe sigurisë duhet të mbeten prioritete kombëtare. Ato janë një objektiv i përbashkët i të gjithë shqiptarëve dhe jo një instrument për përfitime elektorale apo trofe personal. Shqipëria ka pritur plot dhjetë vjet, nga viti 2014 deri në 2024, për të filluar negociatat për 35 kapitujt e integrimit në BE.
Kjo periudhë e gjatë pritjeje nuk duhet të jetë burim krenarie. Krahasimet me Maqedoninë e Veriut nuk duhet të ngrihen si tregues të meritave tona. Vonesa e tyre në procesin e integrimit ishte kryesisht rezultat i pengesave të jashtme, fillimisht nga Greqia dhe më pas nga Bullgaria, që kërkuan ndryshime të mëdha, deri në atë të emrit. Pra, treni i Maqedonisë së Veriut u ndalua, nuk u parakalua. E njëjta situatë mund të thuhet edhe për Malin e Zi, i cili gjithashtu është përballur me instabilitet politik deri në rrëzimin e qeverisë nga vende jomiqësore me Perëndimin.
Procesi i integrimit evropian kërkon një angazhim të sinqertë dhe të vazhdueshëm, reforma të thella dhe të qëndrueshme, një bashkëpunim të sinqertë midis partive politike që duhet të vendosin prioritete strategjike mbi çdo prioritet partiak dhe elektoral. Duhet të sigurohemi që ky proces të mos keqpërdoret për qëllime politike apo personale, por të mbetet një projekt kombëtar, në interesin afatgjatë të Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve. Ndërgjegjësimi publik se integrimi evropian është një projekt kombëtar, jo një prioritet partiak apo vetëm personal, krijon një ndjenjë përgjegjësie të përbashkët.
Duke e parë integrimin evropian si një proces kombëtar, i jepet më shumë peshë dhe seriozitet procesit në vetvete. Informimi i publikut duhet të jetë një proces i vazhdueshëm dhe i pandërprerë. Në thelb, një publik i informuar mirë dhe i ndërgjegjshëm për rëndësinë e integrimit evropian është një mbrojtje e fortë kundër fushatave partiake deri edhe dezinformuese. Në vitin 2011, PS-ja mbajti një qëndrim joevropian kur bllokoi përfitimin e statusit të vendit kandidat me alibinë e kryetarit të qarkut Fier. Ne, një grup deputetësh të PS-së, protestuam kundër bojkotit dhe bëmë thirrje për të ecur përpara. Personalisht, në vitin 2011, i kam bërë memo Ramës se çdo vonim në procesin e integrimit vonon dhe zvogëlon përfitimet nga politikët e fondeve të BE, kur PS të vijë në pushtet në vitin 2013. Përgjigjja e Ramës, përjashtimi nga listat konkurruese të deputetëve të PS-së në vitin 2013.
Procesi i integrimit euro-atlantik është i gjatë dhe i ndërlikuar dhe afatet mund të ndryshojnë në varësi të progresit të secilit vend. Anëtarësimi në NATO në vitin 2009 ka përfshirë edhe kontributin e spikatur të PS dhe të ekspertëve të saj, të cilët e lehtësuan këtë proces dhe pavarësisht se “dega e dafinës” i mbeti padrejtësisht vetëm PD-së. Në rastin e mospengimit të anëtarësimit në NATO, pas tragjedisë së Gërdecit, qëndrimi i Ramës dhe PS ishte pozitiv. Duke mos ngadalësuar apo penguar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Sfidat tona për detyrimet dhe përfitimet reale nga integrimet euroatlantike do të jenë të menjëhershme. Prandaj, detyrimi i përhershëm duhet të jetë edhe ai që prioritetet tona strategjike nuk duhet t’i parcelizojmë sipas partive politike dhe as t’i privatizojmë sipas liderëve politikë.