Deputeti në detyrë Asllan Dogjani, në Komisionin e Ligjeve, kritikoi ashpër zgjedhjet e fundit, duke thënë se Partia Demokratike u përball me një situatë të rëndë kriminale. Ai tha se demokracia në Shqipëri ka mbaruar dhe vendi është duke u kthyer në diktaturë nën qeverisjen e Edi Ramës.
Dogjani bëri thirrje edhe për socialistët që të reflektojnë dhe të mbështesin krijimin e një qeverie teknike për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Në këto zgjedhje foli më shumë krimi, paratë e drogës dhe frika ishin mjetet më efektive. Manipulimi i votave gjatë numërimit është rrezik i madh për demokracinë,” tha ai.
Nga ana tjetër, Enkelejd Alibeaj, i cili nuk mori mandat, deklaroi se të paktën 10 deputetë, përfshirë kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, nuk do të jenë më pjesë e Kuvendit në shtator dhe kërkoi që punimet të ndalen pasi sipas tij sovrani ka folur.