Kreu i PD, Sali Berisha, ka mbajtur fjalën e tij në protestën e opozitës, ku i cili i theksoi edhe ndryshimin e opozitës në Shqipëri me atë të Hungarisë.
“Këtë javë banalistë, sahanlëpirës, puthadorë të shumtë të regjimit kanë vërshuar në studio të kontrolluara nga Rama me tezën se opozita shqiptare nuk ka fuqinë e opozitës së Hungarisë së solli rrotacionin pas 16 viteve pushtet të Fidesit. Por miqtë e mi, ka një ndryshim mes opozitës në Hungari dhe opozitës në Shqipëri që nuk e përmend fare mafia e zezë e fjalës së lirë, e cila trillon, manipulon, mashtron 24 orë, 7 ditë në javë opinionin për të mbrojtur padrionin e tyre, regjimin që i ushqen.
Ata për t’u dëshpëruar krahasojnë të pakrahasueshmen, në Hungari, nuk u arrestua ndonjëherë liderët e opozitës në vitin zgjedhor, sikur ndodhi në Shqipëri dhe Tunizi. Nuk u mor vula dhe logoja e partisë kryesore opozitare, nuk shpërndau qeveria në Hungari 100 euro për cdo pensionist për të blerë votën sikur bëri Rama dhe votën në Hungari nuk e kontrolluan kartelet e drogës sikur e kontrolluan në Shqipëri, Durrës, Elbasan, Lushnje, Fier, Shkodër.
Në Hungari, qeveria nuk fali gjoba dhe kamatat e 10 viteve prej 2 miliardë eurove, dy ditë para zgjedhjeve sikur bëri narkodiktatori i Tiranës. Në Hungari mediat komerciale më të shikuar anë vend ishin të rreshtuara në anën e opozitës dhe Tik Toku nuk u bllokua, kurse në Shqipëri 90% e mediave kontrollohen nga Rama dhe mbledhin cdo ditë mashtrim për opozitën.
Atje Tik Toku nuk u bllokua si këtu. Së fundmi, do ju kujtoj se në Hungari ministri i Drejtësisë dhe vetë Presidenti, të gjetur para një akti të konsideruar skandal, dhanë dorëheqjen brenda 5 orëve dhe u paraqitën para drejtësisë kurse në Shqipëri Lubia me afera që arrijnë në 1.2 mld Euro dhe Edi Rama bashkë aksioner në 62% të këtyre aferave jo vetëm nuk dha dorëheqjen por përkundrazi shkelmoi vendime, përplasi dyert prokurorisë dhe gjykatave dhe u tha shqiptarëve se cështja Balluku është e mbyllur. Edi Rama jemi për këtu për t’u betuar, se kurrë ne nuk mbyllim cështjen Balluku, cështjen tënde dhe fundi yt do të jetë përpara gjykatës”, tha Berisha.









