Kandidati për deputet i koalicionit “PD-ASHM”, Aulon Kalaja, ka shprehur bindjen se është shumë pranë fitores në qarkun e Durrësit, pasi Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur të hapë kutitë e votimit të kërkuara prej tij. Në një deklaratë televizive, Kalaja theksoi se po kërkon transparencë për votat e tij si individ dhe jo si përfaqësues i një subjekti politik.
“I gjithë debati është midis legjitimitetit të kandidatit dhe subjektit politik. Unë e përshëndes KAS, sepse ka mbajtur qëndrim shumë të mirë. Unë po shkoj drejt fitores, drejt hapjes së kutive nesër, sepse kam dhe një seancë tjetër të fundit nesër. KAS i ka rrëzuar kandidatët e tjerë të PD sepse nuk i legjitimonte dot si kandidatë, sepse këta të rrahin e s’të lënë me qa. Unë kam të drejtë të shoh votat e mia, unë i shoh votat në emër të Aulonit dhe jo subjektit politik.
E mbështes PD-në, sepse beteja e saj është për transparencë. Nga hapja e kutive në Durrës do të dalin faktet si janë vjedhur votat dhe janë trafikuar. Jo vetëm brenda llojit kam parë dhe vota që i janë kaluar PS si vota të pavlefshme”, deklaroi Kalaja.
Ai u shpreh se procesi i rinumërimit do të vërtetojë manipulimin e rezultatit dhe do të nxjerrë në pah shkeljet që, sipas tij, i kanë kushtuar atij mandatin.
/5pyetjet.al








