Miliarderi Elon Musk ka kërcënuar se do ta nxjerrë jashtë përdorimit anijen kozmike Dragon të kompanisë së tij SpaceX, pas paralajmërimit të presidentit amerikan Donald Trump për ndërprerjen e kontratave qeveritare. Lajmi raportohet nga BBC.
Anija Dragon është ndërtuar me mbështetje financiare nga NASA, me një investim prej 396 milionë dollarësh, dhe është përdorur për të dërguar astronautë dhe furnizime në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.
Një vendim i tillë nga Musk do të kishte pasoja serioze për aftësitë operacionale të NASA-s në hapësirë. Përveç kësaj, SpaceX dhe Starlink kanë kontrata të rëndësishme edhe me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, përfshirë projekte të klasifikuara.
“NASA do të vazhdojë ta zbatojë vizionin e presidentit për të ardhmen e hapësirës dhe do të punojë me partnerët e industrisë për të përmbushur objektivat,” – u shpreh një zëdhënës i agjencisë.
Përplasja mes Trump dhe Muskut – dikur këshilltarë të afërt – po thellohet gjithnjë e më shumë, duke rritur pasigurinë për bashkëpunimin e ardhshëm në projekte strategjike hapësinore.









