Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Blerina Abrazhda, në një intervistë për Ekonomia Online tha se Kosova duhet të anëtarësohet në NATO pa kushte. Ajo theksoi se Shqipëria do të mbështesë gjithmonë aspiratat euroatlantike të shtetit të Kosovës.
Abrazhda tha se procesi i anëtarësimit në NATO është i vështirë për shkak të faktorëve gjeopolitikë. Gjithashtu ajo theksoi se mbështetja e Shqipërisë për Kosovën nuk është thjesht vëllazërore, por mbështetje shtetërore dhe strategjike.
“Që Kosova duhet të anëtarësohet në NATO ajo duhet që të jetë me patjetër, pa marrë parasysh se çfarë po ndodh në veri të Kosovës ose jo. Kosova si shtet i pavarur dhe sovran në një regjion ku mbështet integrimin euroatlantik, në një regjion ku Kosova është projekti më i suksesshëm i NATO-s, së paku që nga formimi i NATO-s. Është një nga misionet më të mëdha që NATO ka sot realisht. Duhet patjetër të hyjë në NATO. Ka një forcë të armatosur, e cila është e kompletuar, ka një sovranitet si shtet, ka Kushtetutën, i ka të gjitha elementet për të hyrë. Natyrisht, mekanizmat e anëtarësimit janë nivel shumë i lartë politik i komplikuar për arsye të ndryshme gjeopolitike. Mbështetja nuk do të mungojë, por Kosova nuk duhet ta harrojë asnjëherë që mbështetja e Shqipërisë ndaj Kosovës nuk është vetëm mbështetja vëllazërore, por është edhe mbështetja e Shqipërisë si anëtare e NATO-s”, tha ajo.