Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka rikujtuar sot hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë, në përvjetorin e 26-të të çlirimit.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, ambasada thekson rëndësinë e kësaj date historike, e cila solli shpresë dhe siguri për qytetarët e Kosovës, duke hapur rrugën për kthimin e familjeve të zhvendosura dhe rindërtimin e komuniteteve.
“Sot kujtojmë 12 qershorin e vitit 1999, kur forcat e NATO-s arritën në Kosovë dhe sollën paqe dhe siguri. Në këtë përvjetor nderojmë qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës dhe angazhimin tonë të përbashkët për një të ardhme të sigurt dhe të begatë,” shprehet Ambasada e SHBA-së.
Ky mesazh vjen si një përkujtim i rolit të rëndësishëm që ndërkombëtarët luajtën në përfundimin e konfliktit dhe mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e Kosovës.