Më shumë se 290 persona humbën jetën kur një aeroplan i Air India me destinacion Londrën me 242 persona në bord u rrëzua pak minuta pasi u ngrit nga qyteti perëndimor i Ahmedabadit, sipas Reuters.
Avioni u rrëzua mbi një konvikt të kolegjit mjekësor gjatë orës së drekës. Sipas mediave indiane, deri tani vetëm një ka mbijetuar dhe ka thënë se ka parë tmerr me sy, si dhe ka thënë se ka dëgjuar një zhurmë të lartë menjëherë pas ngritjes.
“Afërsisht 294 persona kanë vdekur. Këtu përfshihen disa studentë, ndërsa aeroplani u rrëzua mbi ndërtesën ku po qëndronin”, tha për Reuters Vidhi Chaudhary, një oficer i lartë i policisë shtetërore.
Ai tha se policia gjeti një të mbijetuar i cili ishte në vendin 11A, pranë një daljeje emergjence, duke shtuar se mund të ketë më shumë të mbijetuar në spital.
“Tridhjetë sekonda pas ngritjes, pati një zhurmë të fortë dhe pastaj avioni u rrëzua”, tha 40-vjeçari Ramesh Viswashkumar për Hindustan Times, i cila tregoi në internet një biletë hipjeje për vendin 11A me atë emër.
Ai tha se vëllai i tij, Ajay, ishte ulur në një rresht tjetër në aeroplan. “Ai po udhëtonte me mua dhe nuk mund ta gjej më. Ju lutem më ndihmoni ta gjej”, tha ai.
Shefi i policisë së Ahmedabadit, GS Malik, tha se trupat e gjetur mund të përfshijnë si pasagjerë ashtu edhe njerëz të vrarë në tokë. Ndër të vdekurit përfshihej Vijay Rupani, ish-kryeministri i shtetit Gujarat, qyteti kryesor i të cilit është Ahmedabadi.
Të afërmve u është kërkuar të japin mostra të ADN-së për të identifikuar të vdekurit, u tha gazetarëve sekretari i shëndetësisë i shtetit, Dhananjay Dwivedi.
VIDEO/ Momenti kur avioni me mbi 242 pasagjerë rrëzohet dhe shpërthen në flakë