Avioni Boeing 787 Dreamliner, me 242 pasagjerë në bord u përplas të enjten pak momente pas nisjes nga aeroporti i Ahmedabadit, ku destinacioni i planifikuar ishte Londra. Avioni ra mbi një hostel për mjekë në pjesën perëndimore të Indisë.
Ndërkohë ende nuk dihet shkaku i vërtetë i aksident të rëndë ajror ku nga 242 pasagjerë vetëm një britanik ka arritur që të mbijetojë.
“The Sun” rendit gjashtë pista kryesore që po hetohen si shkaktarë të mundshëm të aksidentit më të rëndë ajror në historinë e Indisë:
Përplasja me zogj – Një goditje nga zogjtë mund të ketë dëmtuar motorët gjigantë General Electric të avionit. Edhe pse duket e pazakontë që një zog të rrëzojë një avion kaq të madh, raste të ngjashme kanë ndodhur më parë.
Pozicioni i flapave të krahëve – Ekspertët sugjerojnë se flapët e krahëve mund të kenë qenë tërhequr ose në një pozicion minimal, duke dhënë shumë pak ngritje, veçanërisht gjatë nisjes dhe uljes ku këto pjesë janë të rëndësishme për stabilitetin. Gjithashtu, rrotat e uljes kanë mbetur hapur gjatë gjithë kohës, duke shkaktuar rezistencë të madhe aerodinamike. Kjo mund të ketë kontribuar në humbjen e kontrollit të avionit.
Gabim i pilotit – Megjithëse Boeing 787 është një avion shumë i automatizuar dhe pilotët kryejnë kryesisht veprimet kyçe, nuk mund të përjashtohet një gabim njerëzor. Kapiteni i avionit ishte një pilot me përvojë të madhe, por mund të ketë ndodhur një gabim në kontrollin e avionit ose në vendosjen e flapave.
Temperatura e lartë – Në ditë me temperatura shumë të larta, si ajo e aksidentit (rreth 40°C) avioni ka nevojë për më shumë shpejtësi për të krijuar ngritje të mjaftueshme. Kjo mund ta ketë bërë më të vështirë ngritjen, veçanërisht me ngarkesë të plotë.
Defektet teknike – Nuk përjashtohet mundësia e një defekti teknik apo problemi inxhinierik. Boeing 787 ka një rekord të mirë sigurie, por në vitet e fundit janë raportuar disa probleme me motorët në avionët e ngjashëm.
Mbingarkesa – Edhe pse pesha e avionit kontrollohet me kujdes para nisjes, një mbingarkesë moti mund të ketë ndikuar në aftësinë e tij për ngritje.