Ideja e një “Qeverie të Unitetit” zakonisht përdoret si një mekanizëm balancues, por edhe si një instrument më shumë diplomatik sesa politik, që shërben për të “neutralizuar” si ambiciet (e sëmura) ashtu edhe synimet për pushtet të aktorëve politikë (qoftë në qeveri apo në opozitë).
Kjo ide, nëse bazohemi në përvojat tona vetjake, është përdorur edhe si mjet i rëndësishëm për të ruajtur stabilitetin dhe për të ushtruar një vendimmarrje gjithëpërfshirëse, ku të gjithë aktorët pretendues për t’u bërë “hisedarë aktivë” të “sofres” apo kulaqit ambivalent bëhen pjesëmarrës me të drejta të barabarta.
Mirëpo, duhet theksuar se, në një realitet të brishtë postkonfliktual dhe me tensione të theksuara ndër-etnike e ndër-partiake, kjo ide lehtësisht shndërrohet në normë që, nëse stërzgjatet, mund të kthehet në pengesë serioze për instalimin e pluralizmit dhe funksionimin e sistemit demokratik.
I.
Ideja e Qeverisë së Unitetit, si koncept kontemplativ dhe si praktikë
Nëse përdorim metodën e “analizës së përmbajtjes” (një metodë shumë funksionale në sociologji që e kam ligjëruar për vite) për të verifikuar “peshën specifike” të aktorëve tanë politikë, por edhe përmbajtjen e prononcimeve të tyre publike gjatë dy dekadave të fundit, kuptojmë se Qeveria e Unitetit (në literaturë shpesh e identifikuar edhe si “qeveri gjithëpërfshirëse”) përfaqëson një lloj koalicioni të gjerë midis subjekteve politike, zakonisht ideologjikisht antipode, që bashkohen për të përballuar një krizë që kërcënon sigurinë, stabilitetin e madje edhe ekzistencën e vetë shtetit.
Tani shtrohet pyetja fundamentale e kësaj analize ad hoc sociologjike: cilat janë parametrat për të matur shkallën e seriozitetit të kërcënimit të sigurisë kombëtare, stabilitetit dhe vetë ekzistencës së shtetësisë së Kosovës? Modeli i qeverisë së unitetit mbart një sërë problemesh dhe një “karrocë” sfidash të brendshme—si stagnimi në procesin e integrimeve, Gjykata Speciale, Asociacioni etj.—dhe sfidash të jashtme, si dialogu me Serbinë dhe presioni për përshtatje të ligjeve e reformave të brendshme, së bashku me heqjen e sanksioneve.
Këto sfida mund ta bëjnë modelin e “unitetit” jofunksional, joproduktiv, për të mos thënë edhe pengesë serioze, nëse nuk ka konsensus të gjerë politik e institucional. Kur e themi këtë, kam parasysh mungesën e një tradite politike bashkëpunimi dhe logjikën e përjashtimit (që doli në pah në sadomazohizmin maratonik të ish-qeverisë dhe ish-opozitës në aulën e Parlamentit gjatë këtyre tre muajve torturues për publikun), në vend të logjikës së konsensusit.
Një dobësi e dukshme nga të gjitha këndvështrimet socio-politike lidhet me mungesën e vendimmarrjes efektive, për shkak të nevojës—por edhe insistimit hipotetik—për konsensus mbi çdo çështje. Në një demokraci ende të brishtë dhe plot probleme, siç është kjo në Kosovë, një situatë e tillë rrezikon të sjellë bllokim në nivel vendi (çka Serbia do ta shfrytëzonte me automatizëm për konsum të brendshëm e të jashtëm).
II.
Një qeveri uniteti me të gjitha partitë parlamentare brenda nënkupton një vakum total opozitar (apo mungesën e mekanizmit check and balance), çështje jetike për një demokraci funksionale. Kjo nënkupton: “të futemi të gjithë në qeverisje (të unitetit) vetëm që t’u shmangemi përgjegjësive madhore” (Asociacioni, Gjykata Speciale, sanksionet, proceset integruese etj.) dhe në zgjedhjet e ardhshme të hyjmë me kredenciale të barabarta, ndërsa gjatë fushatës të përdorim sërish stigmatizimet dhe paragjykimet e vjetra si mjete frikësuese.
Jam i bindur se përfshirja e të gjitha partive në një qeveri uniteti, nga një publik tashmë i pjekur, nuk do të perceptohet si akt i përgjegjshëm politik (në të cilin beson LDK-ja) apo si “kontratë xhentëlmene” për ta zhbllokuar ngërçin, por si marrëveshje për interesa personale (opozitare) dhe pushtetare (ish-qeveria). Me fjalë të tjera, oferta për “qeveri uniteti” do të ulë besimin qytetar në sistemin demokratik dhe do të rrisë apatinë politike, e cila më pas mund të çojë në mosdalje në zgjedhje—pikërisht atë që presin ata që llogarisin një epërsi të vogël dalluese.
Shembulli i koalicionit të gjerë të vitit 2014 (LDK–PDK), ku mungesa e kohezionit dhe mosbesimi politik çuan në një qeveri jofunksionale dhe të përkohshme, e ilustron qartë këtë rrezik. Sërish: “kontrata unifikuese” mund të arsyetohet vetëm në rrethana jashtëzakonisht të veçanta—p.sh. procesi përfundimtar i dialogut me Serbinë, një krizë e rëndë e sigurisë kombëtare, ose marrëveshje të mëdha ndërkombëtare që kërkojnë konsensus (anëtarësimi në OKB, BE, NATO). Edhe atëherë, qeveria e unitetit duhet të ketë mandat të kufizuar kohor, kompetenca të qarta, dhe një mekanizëm mbikëqyrës demokratik në përputhje me Kushtetutën.
III.
Alternativat ndaj “qeverisë së unitetit”. Në vend të një qeverie uniteti, Kosova do të përmbushte shumë më mirë detyrimet e veta të brendshme e të jashtme nëse energjia për “ata dy gishta pushtet” do të orientohej kah:Reforma zgjedhore—për qeverisje transparente, stabile, të përgjegjshme dhe llogaridhënëse;
Mekanizma të përhershëm dialogu ndërpartiak—me respektim të hierarkisë; Rritje të llogaridhënies parlamentare—pavarësisht se kush është në pushtet apo në opozitë.
Për këto arsye, “kontrata” për qeveri uniteti (e iniciuar nga LDK-ja), edhe nëse supozojmë qëllime fisnike, nuk përkon as me momentin (demokracia është ende në konsolidim), as me nevojat konkrete të Kosovës.
Ajo do të kishte funksionuar vetëm menjëherë pas luftës, kur kishte garanci të forta ndërkombëtare dhe një roadmap të qartë, afatshkurtër e fleksibël. Sot, duhet të kemi mësuar se, në marrëdhëniet ndërkombëtare, “nuk ka miq e armiq të përjetshëm, por vetëm interesa të përjetshme”.
LDK-ja duhet të ecë me kohën…
*Sociolog dhe Profesor Universitar