Qeveria ka rishikuar për herë të dytë buxhetin e shtetit. Qeveria ka rritur me 570 milionë lekë buxhetin e Prokurorisë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Nga më pak se 1.8 miliardë lekë me ndryshimin e buxhetin në 29 prill, buxheti i SPAK është rritur në mbi 2.3 miliardë lekë.
AKTI NORMATIV PARASHIKON:
Rialokim të kursimeve të evidentuara në masën 5.6 miliardë lekë me qëllim për të siguruar forcimin e sigurisë digjitale dhe mbështetjen e rritjes ekonomike të qëndrueshme, përmes përmirësimit të infrastrukturës kombëtare.
Miratimin e një skeme të re Garancie Sovrane për sektorin e Bujqësisë, me një vlerë rreth 3 miliardë lekë, me qëllim rritjen e aksesit në financë kryesisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por edhe krijimin e kushteve për rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe konkurrueshmërisë.
Rishpëndarjen e disa fondeve të brendshme, në kuadër të përmirësimeve në teknologjinë e informacionit në administratën publike. Pavarësisht këtij rishikimi, një element i rëndësishëm për t’u theksuar është se deficiti buxhetor mbetet i pandryshueshëm, në nivelin rreth 68.1 miliardë lekë dhe si rrjedhim edhe borxhi publik nuk ndryshon.