Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj me anë të një postimi në rrjete sociale ka reaguar në lidhje me samitin e SECP që u zhvillua në Tiranë.
Begaj shprehet se ishte një diskutim frytdhënës për forcimin e stabilitetit dhe prosperitetit përmes bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se Shqipëria ka qëndrim të qartë dhe të prerë për zgjidhjen paqësore të konflikteve.
“Mikprita sot në Tiranë liderët e Procesit të Evropës Juglindore në samitin e Presidencës së SEECP-së nga Shqipëria dhe kalimin e stafetës te Bullgaria.Një diskutim frytdhënës për forcimin e stabilitetit dhe prosperitetit përmes bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria ka qëndrim të qartë e të prerë për zgjidhje paqësore të konflikteve, lidhje të forta me BE-në dhe një angazhim të fortë për anëtarësimin në BE.Ne po ecim me ritëm të shpejtë drejt integrimit, teksa vijojmë t’i qëndrojmë besnikë vlerave demokratike të Aleancës Euroatlantike.
Vendet e BE-së të ofrojnë mbështetje politike dhe konkrete për anëtarësimin tonë në Union, duke garantuar që perspektiva e integrimit të mbetet reale dhe e besueshme për gjithë rajonin”, shkruan Begaj.