Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është angazhuar në një takim urgjent me ekipin e tij të Sigurisë Kombëtare, ndërsa situata në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet. Pamjet nga jashtë Shtëpisë së Bardhë treguan praninë e forcave të sigurisë, ndërsa burime zyrtare konfirmuan se diskutimet po zhvillohen me dyer të mbyllura.
Mediat amerikane raportojnë se në qendër të takimit është debati nëse Shtetet e Bashkuara duhet të thellojnë përfshirjen e tyre në konfliktin në rritje midis Izraelit dhe Iranit. Trump, i cili është kthyer për këtë arsye nga samiti i G7-ës në Kanada, është duke shqyrtuar opsione ushtarake dhe mbështetje logjistike për aleatin izraelit.
Raportohet se mbi 30 avionë cisternë të Forcave Ajrore Amerikane janë vendosur në rajon për të siguruar furnizimin me karburant të avionëve izraelitë në rast të ndonjë ndërhyrjeje ajrore kundër objektivave iraniane.
Ndërkohë, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, ka deklaruar se SHBA-të janë të vendosura që të parandalojnë çdo mundësi që Irani të pajiset me armë bërthamore. Ajo njoftoi se është krijuar një njësi e veçantë për Lindjen e Mesme që do të koordinojë mbrojtjen e interesave amerikane dhe qytetarëve në rajon.
Autoritetet amerikane i kanë bërë thirrje shtetasve të tyre të shmangin udhëtimet drejt Iranit, Irakut dhe Izraelit për shkak të pasigurisë së lartë në terren.