Vitet e fundit është shtuar numri i individëve që po investojnë në blerjen e pasurive të paluajtshme. Të dhënat e sakta mungojnë, por agjencitë real estate vlerësojnë që 10-15% e blerjeve bëhen për qëllime investimi. Pronën mund ta japësh me qira, ose të presësh të rritet çmimi e ta shesësh sërish.
Rritja e shpejtë e çmimeve të apartamenteve vitet e fundit, ndërsa qiratë mbeten të ulëta, po e bën gjithnjë e më të paleverdishëm blerjen me synimin për ta dhënë me qira. Stela Dhami, e “Colliers International”, thotë se nuk ka asnjë leverdi që të të blesh një apartament si mjet investimi për të marrë qira.
“Ndonëse varet nga zona, kthimi është shumë i ngadaltë dhe luhatet midis 15-20 vjet”. Kjo periudhë konsiderohet shumë e lartë, teksa mesatarja për të vlerësuar të leverdishëm këtë lloj investimi është 10-12 vjet.
Ajo shton se i vetmi investimi që ia vlen është rishitja. Banka e Shqipërisë raportoi se çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë gjashtëmujorit të dytë 2024 u rrit me 23.6% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar, dhe me 44.5% në krahasim me një vit më parë.
Një apartament në një zonë relativisht të mirë të kryeqytetit e blen mesatarisht 2000-2500 euro/m², ose 180-225 mijë euro për një sipërfaqe prej 90 m².
Në Vlorë, çmimi më i lirë për blerje është 1300 euro/m² në Orikum, deri në 3500 euro/m2 në vijën e parë të qytetit. Qiraja më e shtrenjtë ditore sipas AirDNA është 80-95 euro në qershor – gusht, e më pas zbret në 50 – 60 euro.
Në Durrës, në zonën e Golemit, çmimet në vijën e parë kanë arritur deri në 2000 euro/m2² dhe 900-1300 euro/m² në vijën e dytë, sipas të dhënave të agjencive të pasurive të paluajtshme të bregdetit.(lexo KËTU për më shumë)