Një zjarr i fuqishëm shpërtheu të dielën pasdite në ishullin grek të Chiosit dhe vazhdon të jetë jashtë kontrollit, duke kërcënuar zona të banuara dhe duke detyruar evakuimin e disa komuniteteve. Flakët, që nisën pranë Manastirit Panagia Voitheia, u përhapën me shpejtësi për shkak të erërave të forta.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Greqisë, janë identifikuar katër fronte aktive, duke përfshirë zonat Kofinas, Agia Anna, Agios Makarios dhe një tjetër të shpërthyer më vonë, që ka shtuar dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme.
Më shumë se 100 zjarrfikës janë të angazhuar në terren, të mbështetur nga 23 automjete zjarrfikëse, avionë dhe helikopterë. Forcat zjarrfikëse po vijnë me urgjencë nga Elefsina, Pireu dhe Selaniku për të përballuar situatën emergjente. Autoritetet vijojnë përpjekjet për të vënë flakët nën kontroll.
/5pyetjet.al