Ministri i jashtëm i Iranit në konferencë shtypi ka dënuar sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të vendit. Ai tha se Shtëpia e Bardhë “luftënxitës” do të jetë “plotësisht përgjegjëse” për pasojat e veprimeve të saj.
“Republika Islamike e Iranit dënon me fjalët më të ashpra agresionin brutal ushtarak të Shteteve të Bashkuara kundër objekteve bërthamore paqësore të Iranit. Është një shkelje e egër, e rëndë dhe e pashembullt e parimeve themelore të kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të drejtës ndërkombëtare”, tha Abbas Araghchi.
Ai i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të thërrasë një seancë urgjente “për të dënuar pa mëdyshje aktin kriminal të agresionit nga Shtetet e Bashkuara kundër Iranit”.