Edhe seanca e sotme, e 39-të dështoi në Kosovë. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi u shpreh se sot të gjithë qytetarët janë bërë dëshmitarë të abuzimit dhe shkeljes së Kushtetutës me vetëdije nga Albin Kurti dhe VV-ja. Sipas tij, nuk është situata e njëjtë sikur para vendimit të Kushtetueses.
Krasniqi ka thënë se insistimi i njëjtë sot si në seancat e kaluara i bie se për Kurtin, Kushtetuta nuk ka asnjë vlerë. “Kjo qasje që e ka karakterizuar qeverisjen e Kurtit në raport me Gjykatën Kushtetuese është e papranueshme.
Është sulm kundër demokracisë. Shpërfillja ndaj Kushtetutës nuk është gjë e re sepse këta nuk e kanë njohur as shtetin as Kushtetutën. Ky është nivel i rrezikimit të demokracisë në Kosovë”, ka thënë ai.
Krasniqi ka shtuar se rendi i ditës është përcaktuar më 8 prill nga ish-kryetari Konjufca. Sipas tij, kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk do t’i bëjë kurrë votat. Sipas tij, kjo sjellje është e qëllimshme që të mos konstituohet Kuvendi.
Sipas tij, VV-ja tashmë ka qasje të hapur antikushtetuese. “Nuk ka asnjë kuptim më që të takohemi me Kurtin. Ne asnjëherë si kemi ikur asnjë takimi”, ka thënë ai. Ai ka thënë se do të përfundojnë sërish në Gjykatën Kushtetuese.