Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po merr pjesë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së në Porto, Portugali, ku në fjalën e tij theksoi nevojën urgjente për rikthimin e zgjedhjeve të lira në Shqipëri.
Berisha informoi delegatët mbi zgjedhjet e 11 majit 2025, duke i cilësuar ato si një “farsë të paralajmëruar”, me shkelje të theksuara të “makinerisë elektorale” të kryeministrit Edi Rama. Ai vuri në dukje raportet e OSBE-së që evidentojnë përdorimin e burimeve shtetërore për fitore elektorale dhe kontrollin e procesit nga grupe kriminale të lidhura me qeverinë.
Në fjalën e tij, Berisha përshkroi Shqipërinë si një “narkodiktaturë”, duke theksuar lidhjet mes kartelëve të drogës dhe institucioneve shtetërore, dhe shpreh shqetësim për përdorimin e administratës publike si instrument patronazhist për kontrollin e votës.
Ai kërkoi mbështetjen e OSBE-së dhe institucioneve ndërkombëtare për të siguruar zgjedhje të ndershme dhe të lira, duke theksuar nevojën për një qeveri teknike që të garantojë transparencën dhe barazinë e garës politike.
Berisha përfundoi fjalën duke bërë apel që shqiptarët të kenë mundësinë të votojnë lirshëm, pa ndikime dhe intimidime.