Ajo që pritej që të zbulohej në Tiranë po ndodh në Fier. Një trafikim i fortë votash nga njëri kandidat tek tjetri. Deri tani rezulton se grupet e rinumërimit i kanë shtuar në bllok vota kandidates së PD-së, Silva Hasaj, 597 vota të pamerituara. Anëtari i KAS, Ledio Braho tha se mund të bëjnë kallëzim penal për anëtarët e grupeve të numërimit.
“Do të shihet rasti i grupit të numërimit nëse janë grupe rinumërimi të njëjta që kanë bërë këto lëvizje apo janë të ndryshme. Por megjithatë kur votat janë në nivele të tilla, çështja duhet parë më në themel. Ne patjetër që do bëjmë ato verifikimet tona me aq sa kemi mundësi nga ça del nga kutitë e fletëve të votimit. Por që të arrijmë një rezultat, duhet të kemi emrat e grupit të numërimit, duhet të shohim kutinë e materialeve zgjedhore.
Pra, janë një sërë elementësh që ne do të kërkojmë informacion të mëtejshëm që të kryhet edhe nëpërmjet KQZ dhe në varësi të saj, pastaj do të ketë një qasje nëse do të procedohet me kallëzim penal apo jo. Por duhet të kemi parasysh që tabela e rezultateve nuk është një gjë që është një informacion konfidencial që e ka vetëm KAS apo vetëm komisioneri. Është informacion publik, prokuroria e Fierit i ka të gjithë mundësitë që të nisë.”, u shpreh Braho.