Avokati i Popullit ka reaguar në lidhje me rastin e abuzimit seksual në Fier ndaj një vajze të mitur 12-vjeçare.
Me anë të një reagimi, Avokati i Popullit shprehet se kanë marrë shqyrtimin e rastit të abuzimit të vajzës nga babai i saj, si dhe kanë nisur një hetim gjithpërfshirës i cili mbështetet në parimet e legjislacionit shqiptar dhe Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.
Gjithashtu ata apelojnë me forcë për ruajtjen e privatësisë dhe dinjitetit të fëmijës viktimë.
“Avokati i Popullit ka marrë me iniciativë shqyrtimin e këtij rasti dhe ka nisur një hetim administrativ gjithëpërfshirës, i mbështetur në parimet e legjislacionit shqiptar dhe Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, me qëllim evidentimin e veprimeve apo mosveprimeve nga institucionet përgjegjëse që mund të kenë ndikuar në zhvillimin ose mosparandalimin e kësaj ngjarjeje.
Ky proces do të synojë të analizojë funksionimin e zinxhirit institucional të mbrojtjes së fëmijëve dhe të adresojë çdo mangësi sistemike.
Avokati i Popullit apelon me forcë për ruajtjen e privatësisë dhe dinjitetit të fëmijës viktimë. Ekspozimi masiv i detajeve të ngjarjes, qoftë në media apo rrjete sociale, është një dëm i dyfishtë për të miturën dhe cenon rëndë të drejtën e saj për mbrojtje nga traumat e mëtejshme.
Institucioni i Avokatit të Popullit do të ndjekë me vëmendje e seriozitet ecurinë e hetimeve dhe masat që do të ndërmerren për mbrojtjen e mëtejshme të të miturës, duke bashkëpunuar me autoritetet përkatëse në çdo hap të këtij procesi.”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.